Secondary Adv

Buxheti mblodhi 205 miliardë lekë në tremujorin e parë, rritje 13.3 për qind

Të ardhurat buxhetore për janar-mars 2026 shënuan rritje të fortë, të nxitura nga performanca e TVSH-së dhe tatimeve.

Rritje e ndjeshme e të ardhurave

Të ardhurat totale të mbledhura nga buxheti i shtetit për periudhën janar-mars 2026 arritën në rreth 205.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 13.3 për qind, ose rreth 23 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave.

 

Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat arritën në 130.6 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8 për qind, ose 7.2 miliardë lekë më shumë në raport me tremujorin e parë të vitit 2025.

 

Kontributi i doganave dhe TVSH-së

Të ardhurat tatimore nga administrata doganore u realizuan në nivelin 52.9 miliardë lekë, me një performancë pranë planit në masën 95.4 për qind. Brenda këtij zëri, TVSH në import kontribuoi me 35.3 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga akciza arritën në 14.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.5 për qind.

 

Po ashtu, taksat doganore sollën 2.2 miliardë lekë, ose 9 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa renta minerare në eksport u regjistrua në 357 milionë lekë.

 

Rritje e fortë nga administrata tatimore

Të ardhurat nga administrata tatimore arritën në 77.7 miliardë lekë, me një rritje prej 10.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe mbi planin me rreth 2.2 miliardë lekë.

 

TVSH-ja neto në vend shënoi një rritje të fortë, duke arritur në 25.2 miliardë lekë, ose 19.4 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa tatimi mbi fitimin u rrit në 19.6 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 21.8 miliardë lekë, me rritje prej 4.8 për qind. Ndërkohë, taksat nacionale u realizuan në nivelin 11.2 miliardë lekë, ose 97.6 për qind të planit për tremujorin e parë.

 

Rriten edhe fondet speciale

Të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 10.5 për qind krahasuar me një vit më parë dhe mbi planin me 101.5 për qind.

 

Shpenzimet në rritje më të moderuar

Në anën tjetër, shpenzimet publike për tremujorin e parë të vitit 2026 arritën në rreth 156 miliardë lekë, me një realizim prej 92.9 për qind të planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ato janë rritur me 5.9 për qind, ose rreth 8.7 miliardë lekë më shumë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat